Ndërron jetë prokurori turk që u zu rob

Prokurori turk, i cili sot gjatë ditës ishte zënë rob nga pjesëtarë të një grupi të së djathtës ekstreme në Stamboll të Turqisë, dhe që u plagos gjatë misionit për lirimin e tij, ka ndërruar jetë.

Këtë e ka konfirmuar Ministri i Jashtëm i Turqisë, i cili ka shkruar në Twitter se “prokurori i plagosur ka ndërruar jetë”.

ÇOLLAKU: SHPRESOJ QË DERI NË MAJ T’I PËRMBUSHIM KRITERET

Nëse Kosova nuk merr liberalizimin e vizave deri tash një vit, asaj nuk i duhet ky proces.

Kështu deklaroi ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku. Ai në emisionin Rubikon të KTV-së, tha se është i zhgënjter me punën e Qeverisë së kaluar në procesin e liberalizimit të vizave, për shkak të moskryerjes së detyrave, të cilat më pas i kanë dhënë mundësi BE-së që të gjejë arsye për bllokimin e procesit.

“Jemi në fazën përfundimtare të përmbushjes së të gjitha kritereve në këtë fushë. Ka pasur disa ngecje, por me përkushtim të madh të të gjitha agjencive, procesi po vazhdon. Ngecjet kanë të bëjnë me nivelin teknik, por edhe hartimin e legjislacionit të nevojshëm për liberalizim”.

Çollaku tha që shpreson se deri në maj do të përmbushen kriteret e kërkuara nga BE-ja, e që janë pesë ligje, ai i përgjimeve elektronike dhe 4 të tjerë që kanë të bëjnë me gjykatat dhe prokuroritë.

Sipas tij, do të ishte mirë që këto ligje të shkojnë në Kuvend në pako dhe të miratohen në mënyrë të përshpejtuar.

“Ne mëtojmë të miratojmë 9 ligje të reja që lidhen pikërisht me këtë proces. Unë dua të besoj që deri javën tjetër të kalojnë në Qeveri dhe më pas në Kuvend”, tha Çollaku.

“Është ligji i përgjimeve, ligji për gjykata, për këshillin gjyqësor dhe prokurorial. Ideja është që në momentin që këto ligje të kalojnë në Qeveri, të kemi një bashkërendim me Kuvendin, dhe këto ligje t’i fusim në një pako dhe në mënyrë të përshpejtuar të miratohen”.

“Fatkeqësisht, në Ligjin për përgjime elektronike nuk e di pse u kthye në Qeveri për rishikim. Tani kemi një draft të këtij projektligji, shumë më të avancuar dhe më të mirë. Kam besim se do të aprovohet në Kuvend”.

Ministri Çollaku shtoi se për vonesat në përmbushjen e kritereve faj kanë ministritë dhe agjencitë që kanë qenë përgjegjëse për përmbushjen e tyre. Por, ai tha se këto nuk mund të quhen vonesa pasi që, sipas tij, kushtet po përmbushen në afat, transmeton lajmi.net.

“Fillimi kësaj qeveria ishte shumë i vështirë, jo vetëm arritja e marrëveshjes për qeverisje mes partive, por edhe sfidat me të cilat u përball kjo qeveri qysh në start, siç është migrimi masiv”.

“Qysh tash jam i zhgënjyer nga dimanikat në këtë proces që kanë qenë deri më tani. Unë po flas për vete si ministër që udhëheq këtë proces, unë nuk jam i kënaqur me punën e ministrive tjera, sepse ne varemi nga imputi i ministrive të tjera”.

“Këto çështje i kam adresuar në kabinetin qeverisës, me kryeministrin dhe ministrat. Ata i kanë marrë me shumë seriozitet këto shqetësime, duke e ditur rëndësinë e këtij procesi për qytetarët, sepse çdo avancim në agjendën evropiane është tregues i qartë për progresin e Kosovës”.

“Unë s’mund të kritikoj institucionet e BE-së pa kritikuar institucionet tona. Në qoftë se ne do t’i kishim përmbushur të gjitha kriteret, do të ishte shumë më lehtë të shkonim në Bruksel dhe të bënim punën tonë negociuese. Kur t’i përmbushim kriteret ne do ta bëjmë punën tonë”.

“Është esenciale t’i përmbushim kriteret”, tha pos tjerash ministri Çollaku.


 


Vedati i Stupcave përkrah Valon Behramin! (Foto)

Një ndër aktorët më të mirë në Kosovë, Vedat Bajrami, ka reaguar ndaj kritikave të ashpra që janë drejtuar së fundmi nga futbollisti kosovar, Valon Behrami, i cili dje dha një deklaratë bombastike.

Në një intervistë për të përditshmen zvicerane ‘Laliberte.ch’, Behrami deklaroi se ai është një zviceran që luan për Zvicrën, teksa shtoi se futbollistët shqiptarë nuk duhet të festojnë duke bërë shqiponjën me duar.

Kjo deklaratë nuk u prit aspak mirë nga kosovarët, të cilët i vërshuan rrjetet sociale me kritika të mëdha, duke e quajtur tradhtar.

Sidoqoftë, edhe përkundër deklaratës së tij, Valoni si duket gëzon mbështetjen e Vedatit të Stupcave, i cili në profilin e tij në Facebook ka shkruar: “Jemi krenarë për të gjithë djemtë tanë që luajnë për Përfaqësuesen e Zvicrës”. /Telegrafi/ 

Këto janë shanset e Shqipërisë për të qenë në ‘Euro 2016’

Si kualifikohet Shqipëria në Evropian? Cilat janë rrugët nga ku do të kalojnë kuqezinjtë për të shkuar në Francë? Janë tri mënyra për të shkuar në ‘Euro 2016’, pra për t’u kualifikuar pa asnjë problem.

Së pari, duke qenë në vendin e parë ose të dytë të Grupit I. Duke u renditur e treta më e mirë nga nëntë ekipet e kualifikuara dhe versioni i tretë, duke qenë skuadra që në duelin e ‘play-offit’ kalon të kualifikohet.

Gjithsesi, shanset janë pothuajse të njëjta në tri versionet me problemin e vetëm se nuk i dihet se nëse kuqezinjtë mund të kalojnë edhe dy ndeshje shtesë.

Një nga shanset më të mëdha të kuqezinjve është të arrijnë të dalin të tretët në grup, si më të mirët e të gjithë grupeve. Kjo do të ishte një arritje shumë e madhe. Sidoqoftë, rregulli i UEFA-s është pak i komplikuar për grupin ku ndodhet Shqipëria që ka vetëm pesë ekipe. Duhet të bëhet një krahasim mes pikëve që kanë ekipet e treta në grup në fund të eliminatoreve në grupet me gjashtë dhe pesë skuadra. Pra, për të krahasuar renditjen mes grupeve kualifikuese dhe për të përcaktuar skuadrën më të mirë të tretë, u zbriten rezultatet e ekipeve që skuadrat e vendit të tretë kanë me ekipet e vendit të gjashtë. Kështu, nëse skuadra e grupeve me gjashtë ekipe në fund të eliminatoreve ka grumbulluar 18 pikë dhe skuadrës së fundit në renditjen e eliminatoreve të grupit të saj i ka marrë dy fitore ose gjashtë pikë, skuadrës së vendit të tretë i hiqen gjashtë pikë. Pikët e mbetura krahasohen me pikët e Shqipërisë në rastin tonë dhe nëse ne kemi 13 pikë, kualifikohemi ne si e treta më e mirë. Kjo është rruga e dytë. Pas pikëve vjen golaverazhi më i mirë, numri më i madh i golave të shënuar, numri më i ulët i golave të pësuar, renditja ‘fair-play’ dhe në fund renditja e UEFA-s në fund të eliminatoreve.

Aktualisht nuk jemi skuadra më e mirë e tretë e grupeve. Para nesh janë Skocia 10 pikë, por asaj i hiqen tri pikë, sepse ka fituar me Gjibraltarin skuadrën e vazos së fundit në grup. Ka golaverazh shumë të mirë 11-5. Në Grupin B për vendin e tretë luftojnë Belgjika dhe Izraeli, aktualisht dy skuadrat nuk e kalojnë Shqipërinë. Në grupin F, Hungarisë, së tretës me tetë pikë, i hiqet një pikë, sepse ka barazuar me Greqinë skuadrën e vazos së fundit në grup. Golaverazhin e ka 4-3 dhe është para nesh. Në grupin G, Rusisë, së tretës së grupit i hiqet një pikë, sepse ka barazuar me Moldavinë skuadrën e vazos së fundit në grup dhe ajo është shtatë pikë. Ka golaverazh më të mirë se në 9-3. Shqipëria është po me shtatë pikë, por golaverazhin e kemi 4-5, falë skandalit të UEFA-s që na humbi ndeshjen në tavolinë me Serbinë 3-0. Një vendim që na penalizon shumë kur vjen puna e pikëve dhe golaverazhit. Nëse marrim tri pikët nga KAS Lozanë, gjendja jonë është 10 pikë, jemi të parët në grup dhe golaverazhi, shkon në 7-2. Më mirë se kaq nuk ka ku të shkojë dhe rruga për t’u kualifikuar si e treta më e mirë është e sigurt, transmeton Shekulli.

Në llogaritë e grupeve të kualifikueseve që shkojnë në Evropian, sipas formatit të ndërtuar disa vite më parë dy ekipet e çdo grupi kualifikohen direkt në fazën finale të Evropianit. Më shkurt nëse Shqipëria del e para ose e dyta e grupit shkon direkt në Evropian. Gjithsej janë nëntë grupe me nga dy skuadra dhe në fund bëjnë 18 ekipe. Një ekip do të kualifikohet direkt si e treta më e mirë dhe tetë skuadrat e tjera të vendeve të dyta do të luajnë me njëra-tjetrën për të kualifikuar katër ekipet, që së bashku me Francën organizatoren e turneut dhe 19 skuadrat e kualifikuara bëhen 24 ekipe dhe shkojnë direkt në Francë. Shqipëria nëse ia del të pozicionohet në vendet një ose dy të grupit është në Francë.

Shansi i fundit mbeten ndeshjet shtesë. Kjo do të thotë se skuadra jonë në fund të eliminatoreve është e treta. Për këtë arritje kuqezinjtë duhet të marrin dy barazime me ekipet e Armenisë dhe Serbisë në dy ndeshjet e ardhshme, me kusht që Serbia të humbasë një nga katër ndeshjet e mbetura. Nëse kuqezinjtë fitojnë ndeshjen me Serbinë dhe barazojnë me Armeninë janë automatikisht në ‘play-off’.

Kush e vrau Bajram Currin dhe pse nuk flitet sot për të?

Çfarë ishte në të vërtetë Bajram Curri? Cila ishte ana tjetër e panjohur e tij. Kush frikësohet për përkujtimin e figurës së tij në 90-vjetorin e vrasjes? Çfarë e bënte të veçantë këtë njeri të jashtëzakonshëm? A ishte aq i pasur dhe pse prishte pafund? Kush ishte realisht i interesuar për ta vrarë dhe pse Zogu i bëri ceremonial shtetëror? A e vranë direkt interesat dhe paguan 100.000 dinarë serbët?

Si në shumë raste, metodikat e vjetra të historisë sonë, nuk të ndihin të marrësh vesh të vërtetat e personazheve tona. Bajram Curri nuk mund të bëj përjashtim. Ai është thjesht hero, por sesi u bë i tillë, askush nuk e arrin ta realizojë me ndonjë monografi cilësore. Pak gjëra dihen tashmë për heroin, kur koha fluturon dhe bashkëkohësit e tij kanë vdekur. Po si sillej vallë, si vishej, pse prishte aq shumë para? Si motivohej pa asnjë logjikë tjetër kundërshtuese për Kosovën. Po kush e vrau? A e manipuluan italianët?

Në ditët tona rezultati i kësaj heshtje të imponuar dihet: konjukturat politike i fshijnë të gjitha me heshtje. Të paktën, këtë e bënë me Luigj Gurakuqin, që u vra tre javë para tij. Në 90-vjetorin e vrasjes së Bajram Currit, pothuaj nuk dimë asgjë të veçantë dhe versionin më të afërt të vrasjes. E habitshme se vrasjen ia kanë vendosur Zogut, por në funeralin e këtij heroi të madh organizohet dhe marrin pjesë vetë autoritetet e tij. Janë plot 2000 veta që e përcjellin në Krumë ku varroset me nderime shtetërore. Disi me ironi “Politika” e Beogradit pak ditë më vonë do të shkruaj duke aluduar për benjamimin e vet Zogun, sesi ka mundësi ta ketë vrarë qeveria e tij, kur autoritet i bëjnë ceremonialin. 
Atëherë duhet të dinin më shumë. Po pse ia bënë vallë? Teoritë e konspiracionit të shqiptarëve thjesht të lodhin, kurse historianët të besdisin me patetizimin e tyre. Më keq akoma, në ditët tona as nuk duan t’ia dinë për heronjtë e tillë të identitetit shqiptar. Por edhe kjo ha kundërshtim. Si për ironi të faktit, ëndrra e tij për ta parë Kosovën me Shqipërinë bashkë është bërë katër ditë më parë pakëz realitet, kur dy qeveritë Rama-Mustafa janë gjendur bashkë në një mbledhje. Megjithatë, Baca ka vdekur, kurse paragjykimin e tij postmortum nuk e lehtëson askush.

“Bajram Curri na e la një porosi shkollore civilizuese që Evropa, citohet Skënder Drini, që bota e civilizuar duhet ta mësojë edhe sot. Bajram Curri e dinte fare mire kush po e lufton për vdekje. Por si burrë i pjekur prej shqiptari do ta lënë për histori këtë shkollë civilizuese: –‘Kush prek popullsinë serbe të paarmatosur, ka punë me mue! Kush djeg e vjedh, e din çka e pret! Mjafton kaq për të frenuar vrasjen e njerëzve të paarmatosur dhe për të mos i lënë shqiptarët të bëheshin ‘serbë’”. Shkrimtari i ndjerë e ngre gati në pozicionin e një apostulli. Kujtimet e Sejfi Vllamasit ishin ‘të parat’ pas viteve të komunizmit që hodhën dritë mbi të. Vishej bukur. Ishte patriot i rrallë dhe i ndershëm me virtytet më të mira të racës sonë, thotë ai. Për të ilustruar mëndjen e tij, një moment ai e citon fatosin e madh te Kosovës. “Me pasë 4000 kosovarë të zgjedhur, Serbisë kisha me i shkue në Beograd”. 
Në fakt, ishte Beogradi që erdhi vetë në Tiranë dhe ia solli Ahmet Zogun, armikun e vet bash në Tiranë. Bajram Curri, ky burrë i jashtëzakonshëm trim, nuk u bë dot asnjëherë politikan mirëfilli edhe pse gëzoi ofiqe. Informacioni për të merret gjithnjë në mënyrë të tërthortë. Historia e hedh në krah të italianëve ashtu si figura të tjera të kohës, pasi Italia shprehet hapur si mbështetje e shqiptarëve. Dhe Currin kanë ku ta kapin. E do Kosovën pa asnjë çmim dhe është gati të bëjë gjithçka për të, qoftë dhe me ndihmën e italianëve. Aman jo serbët. Ndërkohë, ky burrë simpatik, vishet bukur dhe prish shumë para. I ngjan një ranger-i amerikan, shprehet Vllamasi, por edhe di të argëtohet… Cilësi që thuhen pak sepse heronjtë shqiptarë janë të përkorë. Vetëm të përkorë Kjo na e bën të prekshëm figurën tonë, por edhe shumë simpatike. Ishte njëri si të gjithë të tjerët dhe më shumë akoma me shumë pritshmëri.
I lindur në Krushë të Madhe, krahina e Gjakovës, ai e pa herët masakrën serbe ndaj ndjerëzve të tij. Si pinjoll i një familje të mirë dhe patriote u rrit me urrejtje për serbët. Që më 1899 kohë kur u formua Lidhja Shqiptare e Pejës, Bajram Curri është me Haxhi Zekën. E ndihmon lëvizjen si përkrahës dhe megjithëse është pa shkollë i do të shkolluarit dhe tregon largpamësi, fakt që insiston se shqiptarët të shkollohen. Më 1912, në vitin e pavarësisë shqiptare është një hero i Kosovës dhe figurë autoritare. E habitshme është sesi legjenda e ka zëvendësuar krejt figurën e tij tokësore aq të këndshme.

Historia për të

Marenglen Verli është një nga historianët më të vjetër tanët, që është marrë me problemin kosovar. Prej tij kemi përcaktime më institucionale për heroin: I pakthyeshëm dhe gjithnjë në krye të forcave popullore, u përlesh me ushtritë pushtuese serbo-malazeze në Plavë e në Guci, në Krasniqe e në Gash.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më pas e pati nder ta zgjidhte atë si anëtar të vetin dhe t’i ngarkonte detyrën e përfaqësuesit në Konferencën e Paqes për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Bajram Curri zgjeron lidhjet me popullsinë e Malësisë së Veriut. Bashkon parinë e Gashit e të Krasniqes që kishin më tepër se 10 vjet armiqësi, bën kuvende e lidh besë midis krahinave, midis Nikaj-Merturit, Shalës e Postribes, vendos bashkëpunimin me qarqet antizogiste në Shkodër. Veprimtaria e shumanshme atdhetare e Bajram Currit, spikati me forcë edhe në jetën politiko-shoqërore shqiptare të viteve 1920-1924. Ai dha një ndihmesë të dorës së parë, si në luftën për konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar, ashtu edhe në konfrontimet që i hapnin rrugë demokratizimit të jetës politike në Shqipëri.
Edhe kësaj radhe u tregua konsekuent, prandaj qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes gjeti tek ai një mbështetje të fuqishme dhe prijësin që i duhej për të shpartalluar çdo pengesë në rrugën e sigurimit dhe konsolidimit të pavarësisë së vendit. E thërrisnin atje ku ishte situata më kritike dhe ai me atdhetarizmin dhe aftësitë e tij e normalizonte.
Goditi e shpartalloi esadistët në Shqipërinë e Mesme në prag të fillimit të Luftës së Vlorës, mandej pa u çlodhur ende, vrapoi në Koplik për të sprapsur intervencionin jugosllav. Një vit më vonë, asgjesoi në Mirditë komplotin e agjenturës së Pashiçit, të kryesuar nga kapedani separatist i krahinës. Bajram Currin dhe krerë të tjerë kosovarë duke shfrytëzuar kontradiktat midis austrohungarezëve me Serbinë në korrik në prag të Luftës së Parë Botërore bëri përpjekje që të organizonin një luftë të udhëhequr nga Bajram Curri për të çliruar vilajetin e Kosovës, por kjo marrëveshje nuk u arrit dot.
Pas ikjes së princ Vidit, Bajram Curri me shumë patriot të tjerë shkuan në Krume të Kukësit për të ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë por edhe për t’i goditur sa më me sukses serbët, gjë të cilën e mësoi nga strategjia luftarake e Plakut të Maleve, i cili ishte një strateg dhe ushtarak i klasit të parë me një përvojë dhe prova në sa e sa beteja. Kur Austro-Hungaria filloi pushtimin e Serbisë,Bajram Curri po fitonte autonomi kulturore nga austro-hungarezët dhe u mundua të hapte shkolla aq sa mundte por që nxisin ndërgjegjen kombëtare. Këtu del dhe pjekuria politike e Bajram Currit.
Ndërhyrja energjike me luftëtarë kosovarë e krutanë shpëtoi edhe gjendjen kritike në luftën e Koplikut që u zhvillua në gusht të vitit 1920.Roli i Bajram Currit edhe në këtë betejë qe vendimtar, sikurse edhe në shuarjen e pajtimin e popullit të Mirditës më 1921, jo duke drejtuar armët njeri-tjetrit,por me urti e këshilla vllaznore, duke shmangur gjakderdhjet e kota mes vedit. Bajram Curri gjatë vitit 1923-1924 përbënte një kërcënim serioz për Ahmet Zogun i cili ishte bërë kryeministër

Pjesa ndryshe

Me arsyetimin për ikje me arsye shëndetësore, ai endet nëpër Europë si Itali, Francë, etj., nga data 7. 9. 1924, deri më 14.10.1924, pra 5 javë, thuhet në kujtimet e disa personazheve që i bënë të njohur pasaportën. Po pse endet nëpër Evropë? Dokumenti, ardhur në vitet e fundit tregon se nxirret për arsye shëndetësore, ndërkohë kur periudha shtator-dhjetor 1924 është plot me ngjarje historike dhe aktiviteti i Bajram Currit është i gjithanshëm për çështjen kombëtare, si një nga përkrahësit kryesorë të qeverisë së Nolit. Udhëtimi i fundit në Europë i Garibaldit shqiptar, siç e cilësoi Halim Xhelua, saktësohet se ndodh më 12 tetor të vitit 1924, për t’u vendosur në Krasniqe, mu afër vendit ku do mbyllte jetën dimrit të ashpër të Tropojës, më 28 mars 1925, dhe një ditë më pas do e vrisnin. Në fakt, që atje me përpjekjen e vet mundi që në Krumë të ininconte kryengritjen e armatosur, që kulmoi me fitoren e Qershorit. Pa asnjë mëdyshje ishte njeriu më trim i kësaj kohe dhe të ngjan qesharak reagimi i turpshëm i njerëzve të Fan Nolit, që thjesht merreshin me fjalë. Ishte aq trim saqë në vend t’i hipte vaporit si e gjithë politika shqiptare që do bëhej mërgata shqiptare e do dërdëlliste nëpër kafetë e Evropës zgjodhi të kthehej në mal bjeshkëve të Krasniqes, duke u mbajtur idealin e vet të madh për lirinë e Kosovës. I tradhtuar dhe rrethuar, ai do jepte jetë në shpellën e Dragobisë. Ka pasur zëra se ka vrarë veten, thjesht të mos binte në dorë i gjallë. Sido që të jetë, mbetet figurë trime. Vajtojcja, që e kanë kujtuar dekada më vonë, do e qante kështu: “Qajo pushkë, vlla, si muer ty, Muer Krasniqen ship për ship, Gash, Bytyç, deri në Dri, Muer Kosovën bytevi…”

Postmortum

Prof. Dr. Hakif Bajrami do shprehej dekada më vonë se: “Ata, që e penguan Gjeneralin e vegjëlisë Bajram Currin, që mos të shkojë në Vlorë, provuan ta vrasin për së gjalli. Me dredhi e makinacione e arritën qëllimin. Po ata, më vonë, kur erdhën në pushtet, u forcuan, e vranë në pabesi, me tradhti duke u shërbyer interesave të Beogradit. Ai që e kishte lajmëruar vendqëndrimin e Bajram Currit, (prefekti Krumës), pasi që e vranë në pabesi, mori për guxim edhe të mbajë një fjalim mortor pranë varrit. Po ai (H.K.), më 6 prill 1925 “i kërkonte Ministrisë Punëve të Brendshme në Tiranë 500 napolona ari të premtuara për atë që ka dhënë njoftime se ku gjendet Bajram Curri, si dhe kërkonte gradime për vrasësit e tij.” (Shiko: AQSH i Shqipërisë, Fondi MPB, d. nr. 9. 1925; d. 51 dhe d. 58). Një personazh që e cilësojnë si patriot i shquar Ago Agaj, cituar nga Fazlli HAJRIZI thotë duke e justifikuar Zogun se:“Nuk e vriste ai Bajram Currin, një patriot të admiruar në Malësi të Gjakovës. Bile ai dërgoi një grup xhandarësh ta merrte në dorëzim. Ai u vra nga bajraktarët e Gjakovës në pabesi, në shpellë.Vrasësit u takuan në Gjakovë me një oficer të thjeshtë, të dalë prej shkollës italiane me emrin Ibrahim. Ata i thanë oficerit se bejlerët u kishin premtuar njëmijë napolona, por 500 i mbajtën për vete e 500 na i dhanë”.
Vrasja e këtij personaliteti të madh ruan shumë të papritura. Është e çuditshme heshtja për të në këtë 90-vjetor, njësoj si për Gurakuqin, por më shumë harresa e përcjellë për këtë personalitet të madh. “Nuk ka personalitet shqiptar që politika dhe diplomacia serbe t` i ketë siguruar tetë (8) analiza-biografi analitike sikurse për Bajram Currin dhe të afërmit e tij. Në kohën kur kam hulumtuar nuk ka pasur para që i “blenë” ato dorëshkrime të fotokopjuara. Kam provuar përmes Akademik Bogumil Hrabakut t` i nxjerr të fotokopjuara, por kot. Të paktën prej tij (Hrabakut) e kuptova se tri dorëshkrime i kishin përpiluar për Bajram Currin oficerët rus me urdhër të Nikolla Pashiqit, citohet Hakif Bajrami. Ky thotë madje se: “Ata oficerë kishin punuar si projektantë të kolonive sllave në Kosovë 1920-1928. Ndërsa nga shqiptarët bukë përmbysur është vrarë Bajram Curri, është vrarë truri i kuvendeve dhe gjenerali i istikameve shqiptare për liri dhe pavarësi për 100 000 dinarë”.(Shiko: AVII B. Koleksioni për Bajram Currin 1903-1928). Po kush e vrau vallë dhe kush është i interesuar për heshtjen ndaj tij, vrasjen e madhe të Bajram Currit? Askush nuk e thotë. Baca rri i shikon të gjitha nga monumenti i tij në qytetin me të njëjtin emër, që ka të ngjarë dhe vetë ta ketë harruar. /JAVA/

Aksident i rëndë rrugor, vdes shefi i policisë

Shefi i Komisariatit të Policisë së Delvinës, Përparim Bizhga ka gjetur vdekjen në një aksident të rëndë rrugor.

Aksidenti ka ndodhur në rrethrrotullimin e Frakullit në rrethin e Fierit, dhe në të janë përfshirë dy automjete.

Nga informacionet paraprake mësohet se automjeti me të cilin po udhëtonte Bizhga ka dalë nga rruga dhe shkak dyshohet shpejtësia tej normave të lejuara në këtë sektor të rrugës.

Ndërkohë, i plagosuri është identifikuar si shtetasi Sokol Xhemali i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kryeministri britanik zbulon lidhjen familjare me Kim Karadashian

Kryeministri britanik David Cameron ka thënë se ka lidhje familjare me Kim Kardashian.

Cameron ka theksuar se sipas linjës familjare është kushëriri i trembëdhjetë i yllit televiziv Kim Kardashian.

Në një intervistë për magazinën Heat, Cameron është pyetur nëse e shikon Keeping Up With Karadashians.

“Jo, por kam lidhje e ta” ka thënë ai. “A e dini se jam kushëriri i 13 i tyre” ka thënë ai.

Sipas gjenealogjisë lidhja familjare e Kim me Cameron daton nga viti 1555 tek paraardhësi i tyre Sir William Spencer.

Crvena Zvezda vjen në Kosovë

Klubi i njohur serb Crvena Zvezda (Ylli i Kuq) do të vijë në Kosovë për një ndeshje miqësore, raporton Koha.net.

Klubi nga Beogradi e ka pranuar ftesën e FK Graçanica për një ndeshje miqësore me 4 maj 2015. Ndeshja do të jetë e karakterit humanitar me moton “Luajmë për bebet e Kosovës”.

Policia e Kosovës pritet të bëjë sigurimin e autobusit prej kufirit në Merdare e deri në Graçanicë dhe për siguri ka dhënë garancinë zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq dhe kryetari i Graçanicës Vladeta Kostiq.

Peja pushton Bullgarinë

Skuadra e Pejës e ka bërë krenare Kosovën duke e mposhtur skuadrën bullgare, Rilski Sportist, me rezultat të ngushtë 62-63, në ndeshjen e parë gjysmëfinale në kuadër të Ligës Ballkanike.

Skuadra vendase e nisi më mirë përballjen duke e mbyllur çerekun e parë me epërsi prej tetë pikësh (24:16).

Edhe në çerekun e dytë, nikoqirët vazhduan të kishin rrjedhë më të mirë të pikëshënimit porse kësaj radhe shënuan vetëm katër pikë më shumë se skuadra kosovare (15:11) dhe gjysma e parë përfundoi me rezultat 39:27.

Rikthimi i Pejës ndodhi në çerekun e tretë, kur kosovarët ishin fantastikë duke shënuar 20 dhe duke pranuar 10 pikë, ashtu që në këtë periudhë diferenca u ngushtua në dy pikë (49:47).

Loja e mirë e pejanëve vazhdoi edhe në çerekun e fundit, gjatë të cilit ata arritën që të kalonin edhe në epërsi duke i vënë në presion kundërshtarët. Deri në përfundim të ndeshjes, pejanët zhvilluan lojë tejet të mençur dhe e siguruan një fitore tejet të rëndësishme me rezultat, 62-63.

Lojtarët më të dalluar te Peja ishin Jozo Brkic me 14 pikë dhe 13 kërcime, si dhe Alban Veseli që kontribuoi me 13 pikë.

Ndeshja e dytë gjysmëfinale do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi” në Pejë me 7 prill.

UEFA mund të gjobit përsëri Shqipërinë, ja pse

Shqipëria mund të dënohet sërish nga UEFA.

Jo në shkallë si në rastin e vendimit të turpshëm pas ballafaqimit me Serbinë, por Federata Shqiptare e Futbollit mund të gjobitet.

Hyrja e disa tifozëve në fushë pas ndeshjes Shqipëri-Armeni (2:1), është regjistruar në protokollin e ndeshjes nga gjyqtari i katërt.

Sipas të përditshmes sportive shqiptare, ‘Sport Ekspres’ UEFA pritet t’i shqiptojë gjobë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) pas këtij gjesti të tifozëve kuqezi.